1. Emri
    Asociacioni quhet:
    Asociacioni Ndërkombëtar i Komisionerëve për Gjuhët
  2. Objektivat
    Objektivat e Asociacionit janë:
    • Të promovojë, mbështesë dhe avancojë të drejtat, barazinë dhe larminë gjuhësore;
    • Të ndajë përvojat, të kuptuarit dhe lidhjet mes zyrave të komisionerëve për gjuhët
    • Të inkurajojë këmbimin e informacioneve dhe mësimeve të ndërsjella mes zyrave të komisionerëve për gjuhë dhe të ofrojë një mundësi për anëtarët të avancojnë praktikat më të mira dhe një bazë më të thellë njohurish në lidhje me përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore;
    • Të rrisë vetëdijesimin dhe të kuptuarit e rolit dhe vlerave të Komisionerëve për Gjuhët mes qeverive, agjencive shtetërore, akademisë, medieve dhe publikut në përgjithësi;
    • Të përkufizojë, publikojë dhe të rishikojë vazhdimisht kriteret për njohjen e zyrave të komisionerëve për gjuhët nga Asociacioni dhe për t’u akorduar njohjen atyre që i përmbushin kriteret e përkufizuara për njohje si komisionerë gjuhësorë në mbarë botën;
    • Të mbështesë rajonet të cilat dëshirojnë të krijojnë një post të komisionerit për gjuhët ose të avancojnë të drejtat gjuhësore;
    • Të ndajnë mundësitë për aftësim dhe ngritje përmes shkëmbimit të përvojave të punës;
    • Të ndajnë hulumtimet e mbështetura në të dhëna me qëllim të avancimit të të drejtave gjuhësore.
  3. Përkufizimi
    Anëtarësia e Asociacionit është e rezervuar për:
    1. Çdo Komisioner për Gjuhë që ka qenë i përfaqësuar në takimin përurues të Asociacionit në Dublin, Irlandë, më 24 maj 2013, i cili pajtohet me rregullat e Asociacionit të caktuara aty.
    2. Çdo Zyrë të Komisionerit për Gjuhët e cila njihet më pas nga Asociacioni t’i ketë përmbushur kriteret e Asociacionit për njohje të zyrave të komisionerëve për gjuhët. Kriteret janë të bashkëngjitura në shtojcë.
  4. Zyrtarët
    1. Asociacioni ka një Kryetar dhe një Sekretar. Kryetari duhet të jetë anëtar i Asociacionit.
    2. Kryetari dhe Sekretari propozohen, përkrahen dhe zgjidhen nga Anëtarët e Asociacionit në Takimin Vjetor dhe mbajnë postin deri në përfundimin e Takimit Vjetor të radhës kur ai ose ajo largohet. Asociacioni ka kompetencë të plotësojë çdo vend të lirë që hapet pas dorëheqjes ose ndryshe. Kryetari ose Sekretari në largim ka të drejtë të rizgjidhet për një mandat të dytë por jo më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme. Vendimet merren në përputhje me votat e shumicës së anëtarëve të pranishëm.
    3. Zyrtarë të tjerë – deri në 4 në numër – mund të shtohen nga Asociacioni sipas nevojës në kohën e duhur.
  5. Anëtarësia
    1. Anëtarësia përcaktohet në bazë të rregullave dhe kritereve aktuale të Asociacionit për Njohjen e zyrave të komisionerëve për gjuhët në shtojcë.
    2. Asociacioni vendos për kërkesat pasuese për anëtarësi me votë të shumicës së anëtarëve të pranishëm.
    3. Sekretari mban një listë të azhurnuar të anëtarëve të Asociacionit.
  6. Abonimi
    1. Secili anëtar bën një pagesë të vetme formale për abonim në vlerë prej €10 për të regjistruar anëtarësinë e tyre.
    2. Shuma për abonime të tjera, nëse ngrihet, përcaktohet kohë pas kohe nga Asociacioni.
  7. Dorëheqja
    Një anëtar ndërpret anëtarësinë pas njoftimit me shkrim të Asociacioni për dorëheqjen e tij.
  8. Përjashtimi
    Asociacioni ka kompetencë të përjashtojë një Anëtar, kur konsideron se Anëtari nuk i përmbush më kriteret për njohje të anëtarësisë. Në raste të përjashtimit kërkohet shumica prej dy të tretash e anëtarëve.
  9. Takimi vjetor
    1. Asociacioni mban një Takim Vjetor personalisht ose përmes mjeteve elektronike çdo vit për të kryer punët në vazhdim:
      1. Të pranojë raportin e Kryetarit për aktivitetet e Asociacionit gjatë vitit paraprak;
      2. Të zgjedhë Kryetarin dhe Sekretarin për vitin pasues;
      3. Të pajtohet për një plan të punës për Asociacionin në vitin pasues;
      4. Të pajtohet për çfarëdo çështjeje të rëndësishme e cila promovon objektivat e Asociacionit.
    2. Sekretari, ose në mungesë të Sekretarit, një anëtar i Asociacionit, mban procesverbalin e takimeve vjetore dhe e shpërndan atë brenda një muaji pas atij takimi.
    3. Çdo ish komisioner ose avokat i popullit, ose person i njohur akademik, i cili sipas mendimit të Asociacionit mund t’i kontribuojë punës së tij, mund të ftohet në Takimin Vjetor ose në takime të tjera të Asociacionit. Kjo po ashtu vlen edhe për shërbyes të lartë civil nga kombet shumëgjuhëshe të cilët shprehin interesim pozitiv për institucionin e Komisionerit për Gjuhët.
  10. Gjuhët
    Anglishtja do të jetë gjuha e punës së Asociacionit me dokumentet themeluese të përkthyera nga anëtarët në gjuhët e tyre zyrtare. Anëtarët do të ofrojnë materialin për të cilin është arritur pëlqimi në gjuhën ose gjuhët e tyre zyrtare të zgjedhur për përfshirje në ueb-faqen e Asociacionit. Konferencat e Asociacionit do të mbahen në gjuhën angleze dhe në gjuhët zyrtare të juridiksionit mikpritës.
  11. Ndryshimi i rregullave dhe kritereve
    1. Rregullat dhe Shtojca e Rregullave mund të ndryshohen me një rezolutë në Takimin e Përgjithshëm Vjetor me kusht që ajo rezolutë të nxirret nga shumica e anëtarëve të pranishëm.
    2. Çdo ndryshim i rregullave dhe orareve hyn në fuqi menjëherë pas miratimit të tyre nga Asociacioni, përveç nëse parashihet ndryshe nga Asociacioni.



SHTOJCA E RREGULLAVE

KRITERET PËR NJOHJEN E ANËTARËSISË


  1. KËRKESAT PËR ANËTARËSI
    Parimet drejtuese

    Asociacioni do t’u japë njohjen si komisionerë për gjuhë dhe anëtarë të Asociacionit, atyre organeve roli i të cilave përfshin ndonjë ose të gjitha nga sa vijon: hetimin dhe zgjidhjen, vendosjen ose bërjen e rekomandimeve në lidhje me ankesat që kanë të bëjnë me gjuhën kundër të cilëve këto zyra janë të autorizuara të hetojnë ose të cilat funksionojnë si shërbime për përputhshmëri ose këshilluese në lidhje me të drejtat dhe obligimet gjuhësore.

    Anëtarësia nuk është e rezervuar ekskluzivisht për ata titulli i të cilëve përfshin fjalët ‘Komisioner për Gjuhë’ dhe Asociacioni nuk e përjashton nga anëtarësia asnjë avokat të popullit ose zyrë të ngjashme të cilat merren me trajtimin e ankesave që lidhen me gjuhën ose me shërbimet e përputhshmërisë si pjesë e rëndësishme e mandatit të tyre ose kur një element i veçantë i punës së atij shërbimi përqendrohet në çështjet e të drejtave gjuhësore.

    Kriteret
    Kriteret parimore të Asociacionit për njohjen e zyrave të Komisionerëve për Gjuhët janë:

    Roli – si mbrojtës, shërbime të përputhshmërisë ose këshilluese për të drejtat dhe obligimet gjuhësore
    Pavarësia – të pavarur në përmbushjen e funksioneve të saj
    Drejtësia – i përkushtohet të garantuarit e drejtësisë si vlerë themelore
    Sinqeriteti – është transparente në mënyrën si funksionon
    Llogaridhënia – është llogaridhënëse ndaj publikut ose parlamentit përkatës

    Qeverisja

    Asociacioni pret nga zyrat e Komisionerëve për Gjuhët t’u përmbahen normave dhe parimeve të caktuara të qeverisjes së mirë në përmbushjen e funksioneve të tyre në përputhje me mandatin e tyre legjislativ.

    Njohja

    Vendimi nëse një Zyrë e Komisionerit për Gjuhët pranohet se i përmbush kriteret për Anëtarësi në Asociacion është kompetencë e Asociacionit.